75 Mall Live Search
09:28 / E Enjte, 17 Tetor 2024 / Z S

Haradinaj: Kaidanow ishte një mbështetëse e paepur e lirisë së Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e Tina Kaidanow-it, ambasadores së parë të SHBA-së në Kosovë.

Ai ka theksuar se Kaidanow, ishte një mike e madhe e Kosovës dhe një diplomate e jashtëzakonshme.

Haradinaj, në një postim në Facebook, ka shkruar se shërbimi i saj si ambasadorja e parë e SHBA-së në Kosovën e pavarur dhe kontributi i saj për vendin tonë do të mbeten përjetësisht në kujtesën tonë.

‘’Sapo mësova për ndarjen nga jeta të Ambasadores Tina Kaidanow, një mike e madhe e Kosovës dhe një diplomate e jashtëzakonshme. Ajo luajti rol të fuqishëm në procesin e pavarësimit të Kosovës, si Shefe e misionit të zyrës amerikane. Shërbimi i saj si Ambasadorja e parë e ShBA-së në Kosovën e pavarur dhe kontributi i saj për vendin tonë do të mbeten përjetësisht në kujtesën tonë’’, ka shkruar Haradinaj.

Më tutje kreu i AAK-së është shprehur se Tina ishte grua e fortë, vizionare dhe mbështetëse e paepur e lirisë dhe demokracisë së Kosovës./Indeksonline/