Haradinaj: Kanada ka ndihmuar Kosovën në momentet më të rënda
Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj priti sot në takim ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Lloyd Norman Axworthy, i cili ishte ministër gjatë kohës së periudhës së krizave në Kosovë.
Kryeministri Haradinaj e vlerësoi lartë përkrahjen e Kanadasë në konsolidimin e shtetit të Kosovës. Ai tha se Kanada si shtet mik, ka pasur një rol aktiv në momentet më të rënda për Kosovën, por ka qenë prezentë, poashtu, me trupat e saj në Kosovën e pasluftës.
Kryeministri Haradinaj e informoi mysafirin me gjendjen e përgjithshme në Kosovë, me prioritetet e Qeverisë dhe rreth lehtësirave që do të krijohen në këtë mandat, për t’u hapur rrugë investitorëve potencialë.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka pozicion strategjik, infrastrukturë të kënaqshme, dhe pesë kryeqytete tjera janë në distancë shumë të shkurtër nga Prishtina. Kryeministri përmendi edhe popullatën e re që ka Kosova, që do të thotë se ka edhe fuqi punëtore, ndërsa në portin më të madh në Shqipëri mund të arrihet për pak orë.
Kryeministri i Kosovës dhe ish-ministri kanadez diskutuan për shumë çështje, nga fusha e ekonomisë, investimeve, rendi dhe ligji, energjia dhe rëndësia e mbrojtjes së ambientit./AktivPress