19:46 / E Diele, 20 Janar 2019 / indeksADMonline

Haradinaj: Kemi rritur pagat për mësimdhënësit, ftojmë SBASHK-un që të ndërpresin grevën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar pas takimit që pati me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Haradinaj ka deklaruar se në takimin që pati me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jashari dhe ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqi kanë propozuar rritjen e pagave.

Haradinaj ka thënë se ka ndodhur një rritje substanciale e pagave dhe se kjo rritje është votuar në Komisionin për Buxhet nga të gjitha partitë.

Për mësimdhënësit e Shkollave të Mesme paga e tanishme është 597.8 euro, pra ka 74 euro rritje page.

Për mësimdhënësit në fillore rritja është nga 479 euro sa është aktualja në 529 euro, pra rritja është 46 euro, raporton Indeksonline.

Për mësimdhëniet në arsimin parashkollor nga 447 në 501.9 euro.

“Kemi diskutuar të arriturën e fundit, pra kjo është e fundit për shkak se edhe unë dhe gjithë Kosova e kemi marrë me shqetësimin grevën në arsim, tani ka ndodhur një rritje substanciale e pagave dhe kjo rritje është votuar në Komisionin për Buxhet nga të gjitha partitë, edhe nga opozita dhe në koalicionin qeverisës dhe e përkrahur nga ministri i Financave dhe qëndron pas kësaj rritje, rritja si vijon.

Me këtë nëse flasim për mësimdhënësit sa janë, i bjen që Qeveria e Kosovës e ka pranuar kërkesën e grevistëve dhe ka rënë dakord e që brenda një viti ka pasur rreth 20 milionë euro rritje pagash për arsimin, pra kjo është gjendja.Duke qenë kështu dhe duke pas parasysh se kemi një gjendje jo të mirë, iu kam drejtuar me një letër të cilën pata nderin edhe t’ia jap kryetarit të Sindikatës, zotëri Jasharit dhe t’i lutem atij që të shkojë t’i takojë urgjent Këshillin grevistë dhe t’u kërkojë që nesër të fillojë mësimi”, ka thënë Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka deklaruar se ekziston një rrezik se mund të vazhdohet greva duke menduar se do të bëjmë një ofertë të re, gjë e cila nuk do të bëhet.


“Ekziston një rrezik se nëse vazhdojnë grevën me mendimin se kjo mund të jetë një ofertë e pastaj vjen një tjetër, pra është e pamundur me shku me një ofertë të re dhe kur të votohet ligji nuk ka më kush t’i nxjerrë prej greve. Ata që japin këshilla se mund të ndodhë edhe një ofertë bëjnë kalkulime të gabuara.

Pas votimit të Ligjit me u vendos si dialog në mes të qeverisë dhe arsimit që të bisedohet për statusin e tyre të ardhmen, por nuk diskutohet më për këtë ligj. Ky është amendamenti i ramë dakord i votuar nga të gjitha partitë dhe nëse fillojnë me mësim nesër këtë e fitojnë. Kësisoj pra mbërrihet një kontratë mes të gjithë deputetëve, shpresoj se Këshilli i Grevistëve të kuptojnë këtë sepse ata e meritojnë pagën edhe më të madhe pasi edukojnë fëmijët e këtij vendi, por kjo që ka ndodhur është e arritura më e madhe” ka shtuar Haradinaj, raporton Indeksonline.

Tutje kryeministri i vendit foli edhe për arsyen se pse në konferencë nuk ishte i pranishëm edhe i pari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

“Idenë e konferencës e kisha jo të lidhur me një prononcim të përbashkët, e kisha të lidhur me njoftimin për të gjithë mësimdhënësit se është koha e shkurtër deri nesër, pra që të mos humbim kohë, pra që përmes mediave dhe letrës të mundësohet nisja e mësimit që nesër.Është me rëndësi që kjo porosi të kuptohet saktë nga të gjithë, pra prononcimi është i imi. Nuk kemi marrë një konfirmim të pajtimit, por kam bërë përpjekje që të tregojë se për çfarë është fjala, pra mos të mendojnë se ka edhe një ofertë tjetër se Kosova nuk ka më çfarë të bëjë tjetër”, ka përfunduar Haradinaj./Indeksonline/