Haradinaj kërkon që banorëve të Luginës t’u lehtësohen procedurat për marrje të lejeve të qëndrimit në Kosovë
Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme dhe ministritë tjera përkatëse, që të lehtësohet procedura për dhënien e lejeve të përkohshme dhe të përhershme për qytetarët e Luginës së Preshevës, ose viset tjera.
Këtë kërkesë ai e ka bërë në mbledhjen e sotme të Qeverisë, shkruan AktivPress.
“Duke pas parasysh që në Programin Legjislativ për vitin 2017 është edhe Ligji për të Huajt, kryeministri ka kërkuar përfshirjen e dispozitave ligjore të cilat do të krijonin lehtësira për dhënien e këtyre lejeve dhe të shtetësisë, për qytetarët e rajonit me të cilat kufizohet Kosova”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka bërë të ditur se tashmë janë takuar me shoqatat e këtyre qytetarëve dhe janë duke shqyrtuar mundësitë e realizimit të këtyre lehtësirave./AktivPress