Haradinaj: Kolaps i qëllimshëm, i diktuar nga politika dhe ushqyer nga pazaret e tuxharëve të mafisë energjetike

Edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me gjendjen me energji elektrike.
Haradinaj ka thënë se Kosova sot flen në thëngjill e s’ka energji. Haradinaj ndër të tjera ka thënë se aktualisht ka zero prodhim të energjisë elektrike nga KEK. E kjo sipas tij nuk është rastësi, por rezultat i një kolapsi të qëllimshëm, i diktuar nga direktiva politike dhe i ushqyer nga pazaret e tuxharëve të mafisë energjetike.
“Kosova sot flen në thëngjill e s’ka energji. Sot ranë të gjitha blloqet, aktualisht ka zero prodhim të energjisë elektrike nga KEK. Kjo nuk është rastësi, është rezultat i një kolapsi të qëllimshëm, i diktuar nga direktiva politike dhe i ushqyer nga pazaret e tuxharëve të mafisë energjetike, të cilët sot kontrollojnë tregtinë me rrymë. Të njëjtët që sot i lanë qytetarët pa energji, dikur krenoheshin se e kishin ndalur ndërtimin e Termocentralit Kosova C dhe se kishin refuzuar gazsjellësin amerikan. I ndalën projektet strategjike për shtetin, për të hapur rrugën e abuzimit dhe të pasurimit për një grusht njerëzish të lidhur me qeverinë. Pushtetin po i heton Prokuroria dhe do të hetojë dhe gjejë gjithçka, por një dihet; se ky është krim që i është bërë këtij vendi dhe askush nuk duhet të shkojë në përgjegjësi para Kryeministrit në detyrë”, ka thënë Haradinaj./Indeksonline/