Haradinaj: Kosova edhe një herë po e jep provimin e vet të demokracisë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, iu është adresuar qytetarëve duke i ftuar të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.
Përmes një postimi, Haradinaj u shpreh se Kosova serish po e jep provimin e vet të demokracisë.
“Meritat më të mëdha për këtë mbarëvajtje i kanë vajzat dhe djemtë që janë marrë me organizimin e zgjedhjeve, shtabet e të gjitha partive politike dhe organet ligjzbatuese”, u shpreh Haradinaj.
Ky është postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të Kosovës me të drejtë vote,
Kosova edhe një herë po e jep provimin e vet të demokracisë. Jam shumë i lumtur që votimet e deritashme kanë kaluar pa asnjë incident serioz dhe në një frymë tolerante e krejtësisht demokratike.
Meritat më të mëdha për këtë mbarëvajtje i kanë vajzat dhe djemtë që janë marrë me organizimin e zgjedhjeve, shtabet e të gjitha partive politike dhe organet ligjzbatuese.
Meqenëse kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e kutive, ju që akoma nuk keni votuar, ju ftoj që ta shfrytëzoni të drejtën tuaj dhe të votoni. Vetëm me votë mund të bëheni pjesë e vendimmarrjes e t’i zgjidhni përfaqësuesit tuaj në Parlament e në Qeveri.
Vota juaj është veprimi më i madh që mund ta bëni sot për vendin tuaj!