Haradinaj kritikon gjendjen në arsim: 1 shtatori, jo festë por fillimi i një viti të mundimshëm!

Sot në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do të fillojë procesi mësimor 2025/2026.
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se kjo ditë e cila do të duhej të ishte ditë feste për nxënësit, mësuesit e mësmdhënësit, është veçse një ditë e zakonshme dhe e gjithë kjo si rezultat i problemeve që ka sektori i arsimit.
Haradinaj ka thënë se edhe ky shtator i gjen nxënësit me probleme me tekstet shkollore e me kushtet e rënduara të mësimit. Ndërkaq mësuesit sipas tij i gjen me paga nën dinjitetin e tyre e prindërit me dilemën e madhe se çka përfitojnë fëmijët e tyre nga ky sistem arsimor, madje edhe me pamundësinë për t’i siguruar librat me mjetet e dedikuara për subvencionim në shumë prej 80 eurosh.
“Barra mbi këtë gjendje që gjendemi sot rëndon mbi njerëzit që janë në pushtet tash e sa vjet e nuk lanë gjë pa bërë, përpos trajtimit me respekt e paga të dinjitetshme për mësimdhënësit, ndërsa sindikatat e arsimit që angazhoheshin për paga e kushte më të mira, i shpallën armiqësore. Të vetëdijshëm se nuk e keni aspak të lehtë, ju uroj më të mirat ju mësues, nxënës e prindër, që të keni forcë e kurajë ta përballoni një vit aspak të lehtë shkollor”, ka shkruar haradinaj në Facebook. .
Postimi i plotë i Haradinajt:
Në etapa të ndryshme të historisë sonë, mësimdhënësit bartën mbi supe barrën e madhe kombëtare; ngritjen e brezave dhe sfidën per çlirimin e Kosovës. Ata sfiduan regjimin famëkeq të Millosheviqit pa asnjë kompensim, ndërsa sot në një situatë normale, 1 shtatori do duhej të ishte ditë feste për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, e sot nuk është gjë tjetër përpos një ditë e zakonshme që shënon veç fillimin e një viti të mundimshëm shkollor.
Nxënësit, probleme me tekstet shkollore e me kushtet e rënduara të mësimit, mësuesit me paga nën dinjitetin e tyre e prindërit me dilemën e madhe se çka përfitojnë fëmijët e tyre nga ky sistem arsimor, madje edhe me pamundësinë për t’i siguruar librat me mjetet e dedikuara për subvencionim në shumë prej 80 eurosh.
Barra mbi këtë gjendje që gjendemi sot rëndon mbi njerëzit që jane në pushtet tash e sa vjet e nuk lanë gjë pa bërë, përpos trajtimit me respekt e paga të dinjitetshme për mësimdhënësit, ndërsa sindikatat e arsimit që angazhoheshin për paga e kushte më të mira, i shpallën armiqësore.
Të vetëdijshëm se nuk e keni aspak të lehtë, ju uroj më të mirat juve mësues, nxënës e prindër, që të keni forcë e kurajë ta përballoni një vit aspak të lehtë shkollor.