75 Mall Live Search
15:41 / E Enjte, 12 Mars 2020 / indeksADMonline

Haradinaj kritikon Thaçin e Kurtin: Nuk është koha për mohim të njëri-tjetrit

Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thirrur gjatë ditës së sotme një tryezë diskutim me krerët e partive politike në vend, pas situatës së fundit politike, por se ftesës së tij i janë përgjigjur partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe përfaqësuesit e komuniteteve, ndërsa nuk i janë përgjigjur LDK dhe Lista Serbe.

Ai ka bërë të ditur në një konferencë për medie se qëndrimi i tij sa i përket taksës mbetet i njëjtë, ashtu si edhe i partive të tjera pjesëmarrëse në këtë tavolinë diskutimi, dhe se taksa nuk duhet të hiqet derisa të kemi njohje nga shteti serb.

“Pastaj tema tjetër është çështja e taksës, qëndrimi ynë është që taksa të mbetet në fuqi deri në njohje nga Serbia.Ishte diskutim i hapur i sinqertë dhe i falënderoj të gjithë. LDK ka kërkuar falje për mos pjesëmarrje por kanë propozuar një datë tjetër për takim”, tha Haradinaj.

Sipas tij ajo që mund të thuhet pas këtij takimi është përkrahja që i jipet ShBA-së për energjinë e re që ka sjell në dialogun me Serbinë, duke synuar që shpejtë të arrihet te një marrëveshje përfundimtare.

“Nuk ka ndryshime të qëndrimeve në këtë takim, nuk ka ndonjë risi, ndoshta ajo që është me rëndësi të përkrahet energjia e re që vjen nga ShBA, për një marrëveshje dhe të ketë transparencë për arritjen e kësaj marrëveshjeje”, tha Haradinaj.

Ai tutje kërkoi transparencë të plotë në këtë proces dhe që të mos informohen vetëm atëherë kur çështja e marrëveshjes Kosovë Serbi të jetë punë  e kryer.

Në anën tjetër Haradinaj ka thënë se ndonëse edhe në të kaluarën ka pasur fërkime të qëndrimeve në mes të Presidentit dhe Kryeministrit të vendit, duke aluduar në kohë sa ai ishte kryeministër, tani sipas tij nuk është koha për një gjë të tillë.

“Nuk kemi kohë, jemi vonë, lufta mes institucioneve nuk është diçka e re, ka pasur situatë të tilla, por lufta tani mes këtyre institucioneve është e pakohë, mohimi i njëri tjetrit nuk besoj që do të fitoj njëri, por e di kush ka me hup, ka me humb Kosova”, theksoi Haradinaj.

 Sipas tij do të ishte mirë që nga kjo tavolinë e diskutimeve të dalin me vlerësim se si të vazhdohet tutje me çështjen e taksës./IndeksOnline/