00:02 / E Premte, 26 Korrik 2019 / indeksADMonline

Haradinaj kthehet nga Haga: Do t’i kryejë detyrat, nuk guxojë të lë vakuum qeverisës

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj është rikthyer nga Haga pas intervistimit që pati nga Gjykata Speciale.

Ai përmes një postimi ka treguar se që nga nesër do të vazhdoj përsëri me punë, shkruan Indeksonline.  

Tutje, ai tha se kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush dhe se nuk mund të na imponohet një Dodik Republika.

Ai foli edhe për zërat se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes është jo kushtetuese.

 Më poshtë keni postimin e plotë të kryeministrit Haradinaj:

Të dashur qytetarë,

Sapo u ktheva nga Haga, e nesër vazhdojmë me punë. Pas dorëheqjes sime kam kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. I kthehem obligimeve të mia në Kosovë. Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë.

Të dashur qytetarë,

Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj.

Na priftë e mbara!

RH