Haradinaj: Kthimi i mandatit te sovrani dhe zgjedhjet e lira, jetike për vendin!
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi postuar në faqen zyrtare Facebook ka komentuar vendimin e Kryesisë së Kuvendit për mbajtjen e seancës për shpërbërjen e Kuvendit që do të mbahet më 22 Gusht.
Këtë vendim Haradinaj e quajti të duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, i cili sipas tij do t’i hap rrugë procesit zgjedhor për të cilin thotë se është opcion i domosdoshëm.
Ky është postimi i tij i plotë:
Vendimi i Kryesisë së Kuvendit për të mbajtur seancë me 22 Gusht 2019, për shpërbërjen e Kuvendit, është veprim i duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Ky vendim, do t’i hap rrugë procesit zgjedhor në vend, si opcion i vetëm dhe i domosdoshëm. Po ashtu, është për tu përshëndetur vendimi i kësaj kryesie, që para shpërbërjes, Kuvendi të votojë për Marrëveshjen Ndërkombëtare IPA2, nga e cila Kosova fiton rreth 90 milionë euro fonde nga BE. Kthimi i mandatit te Sovrani dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike, janë jetike për vendin dhe për proceset e rëndësishme që na presin.