Haradinaj kujton betejën e Morinës: Rënia e dëshmorëve u bë frymëzim për mijëra të rinj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot betejën e Morinës, e cila më 7 korrik 1998 shënoi një kapitull të ri në luftën çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit.
Në përvjetorin e kësaj beteje, Haradinaj së bashku me familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë bëri homazhe për të nderuar ata që ranë në këtë përballje me forcat armike: Muhamet Ukshini, Shkëlzen Syla, Blerim Ukshini, Ahmet Pulatani, Fisnik Salihu, Nezir Elezaj, Ymer Bytyqi, Arben Ukshini dhe Sylejmon Abdyli.
“Rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për rrjedhën e luftës, por njëkohësisht u bë frymëzim për mijëra të rinj që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e çuar më tej idealin e shenjtë të lirisë”, ka shkruar Haradinaj.
Në këtë përvjetor, u nderua edhe kujtimi për dëshmorin Agim Mazrekaj, të cilin Haradinaj e përshkroi si luftëtar të vendosur dhe të gatshëm për çdo betejë.
“Trimëria e Agimit do të kujtohet ndër breza”, theksoi ai, duke shtuar se homazhe janë bërë edhe në Voksh të Deçanit, pranë lapidarit të dëshmorit Xhevat Nitaj.