75 Mall Live Search
16:25 / E Diele, 06 Nëntor 2022 / AR

Haradinaj: Kurti me demagogët e vet nuk janë të interesuar për sigurinë e Kosovës

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur për kërkesën për shtyerje të vendimit për targat.

Siç thotë ai, “ata që dalin jashtë kësaj kërkese nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit. Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës”, raporton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Populli i Kosovës dhe aleatët tonë të sigurisë i dijnë shumë mirë qëllimet e Serbisë, sponzorëve dhe satelitëve të saj. 

Por; 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes zyrtarëve të saj, që nga Ambasadori Hovenier e deri te Sekretari i Shtetit z.Blinken, kërkuan nga Kosova pezullimin e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale; 

Kësaj kërkese iu bashkuan edhe vendet e QUINT-it por edhe vendet e tjera të NATO-s, aleate tonat në siguri;

Kjo kërkesë nuk është vetëm politike por garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit; 

Ata që dalin jashtë kësaj kërkese nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit. Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës;

Kjo situatë është bardh e zi. Në vend që të vazhdohet me demagogji, menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.