15:52 / E Diele, 17 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj “kushtëzon” vazhdimin e dialogut

Në prag të vizitës në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e fsheh se është në një farë përballjeje me Bashkimin Evropian (BE).

Haradinaj tregon se në vizitën që kishte në nëntor në “kryeqytetin” e BE-së, sikurse dhe në takimet që do të ketë nesër, po kërkon që Kosova të trajtohet si shtet dhe palë e barabartë në tema.

Shefi i Qeverisë thekson se në Bruksel, kur flitet për Kosovën shumëçka e ndërlidhin me dialogun me Serbinë.

Kjo temë, sipas tij, është e rëndësishme, por thekson se derisa Serbia ka avancuar me hapjen e kapitujve për integrim në BE, Kosova ka mbetur vetëm me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

“Ne kërkojmë që Kosovës me ia qit një afat kohor, që t’i jepet mundësia e hapjes së kapitujve për integrim në BE, ashtu siç ndodhë me Serbinë. Serbia është më e avancuar me kapituj, por edhe ne të fillojmë me të parin”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

“Ne jemi vetëm në MSA. Kërkojmë statusin e kandidatit për vitin që vjen dhe fillimin e hapjes së kapitujve. Kjo kërkesë vetvetiu e përshpejton edhe liberalizimin sepse vjen përpara”.

“Besoj që nuk jemi në situatë të volitshme, aktualisht. Pra ka shumë punë që vërtet agjenda e Kosovës me u konfirmu”, tha Haradinaj për Ekonomia Online.

Kreu i Qeverisë flet dhe për premtimin e tij të madh se brenda tre muajve të parë do ta zgjidhte çështjen e demarkacionit dhe se kosovarët do të mund të lëvizin pa viza.

Ai thotë se e ka “ringjallur” temën e demarkacionit deh se tani është në duart e deputetëve ta votojnë apo jo marrëveshjen.

“Demarkacioni është një kriter që është shtu… Dy vjet e gjysmë demarkacioni ka fjetur, s’është marrë askush me të, tani është në fazën finale dhe së shpejti do ta ketë një epilog”, tha ai.

Por, ai nuk dëshiron të japë ndonjë datë se kur pritet të hiqen vizat për kosovarët.

“Unë jam në një tip përballjeje me BE-në. Kosova ka qenë në minus në të kaluarën… Mendoj se me folë për një datë, mund edhe të irritoj të tjerët, por po punojmë që kjo datë të mos jetë e gjatë… Një lajm i mirë për liberalizimin është se s’ka pasur emigrantë që kanë shku prej Kosovës, dhe konsolidimi i brendshëm, demokracia, po funksionon; edhe në parlament, edhe pse s’ka dinamikë, megjithatë është dinamikë funksionale. Pra, mendoj që nuk jemi larg”, shprehet ai.

Duke folur për 100 ditët e para të qeverisjes, Haradinaj thotë se për kritikë është vetëm numri i madh i zëvendësministrave. Për opozitën shprehet se nuk po mund ta përcjellë dinamikën e Qeverisë.

Haradinaj nuk i përkrah idetë që formimi i Asociacionit të kushtëzohet me votën e serbëve për ushtrinë e Kosovës.

Ai ka thënë se kur kanë bërë marrëveshje për bashkëqeverisje me Listën Serbe, nuk kanë diskutuar për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe as Asociacionin e Komunave Serbe.