Haradinaj: Më 5 nëntor duhet të shpërndahet Kuvendi ndërsa zgjedhjet të caktohen me 7 dhjetor
 
				Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka dhënë detaje nga takimi i sotëm i partive politike të thirrur nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani.
Sipas Haradinajt, Presidentja ka kërkuar nga partitë opozitare të sqarojnë nëse ekziston shumicë parlamentare për formimin e një qeverie të re, si dhe të shqyrtohet mundësia për një zgjidhje të përkohshme sa i përket miratimit të buxhetit, transmeton IndeksOnline.
“Presidentja kërkoi nga ne të sqarojmë nëse e kemi shumicën parlamentare për qeverinë dhe kërkoi që të shihet mundësia për një zgjidhje të përkohshme për buxhetin,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se, sipas vlerësimeve të tij, më 5 nëntor pritet të shpërndahet Kuvendi i Kosovës, ndërsa zgjedhjet e reja parlamentare duhet të caktohen sa më shpejt, idealisht më 7 dhjetor.
“Ne mendojmë se 5 nëntori do të jetë dita kur shpërndahet Kuvendi, ndërsa zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt. Qëndrimi i AAK-së është i qartë: të mos humbim kohë dhe brenda afatit kushtetues të zhvillohen zgjedhjet,” theksoi ai.
Haradinaj konfirmoi se nuk është arritur ndonjë marrëveshje për shumicë të re parlamentare midis partive opozitare, ndërsa ftoi Presidenten që të marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve pa vonesa./IndeksOnline/


 
											 
											 
											 
											 
											 
											 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                