13:35 / E Diele, 23 Janar 2022 / MSH

Haradinaj me porosi për Kurtin: Kryeministër mos e shtrenjto rrymën, e lëri retorikat

Ramush Haradinaj ka reaguar pas shkrimit të kryeministrit Albin Kurti, mbi aktivizimin e Termocentralit “Kosova B”.

Sipas ish-kryeministrit Haradinaj, Kurti duhet të ndërprejë shtrenjtimin e rrymës e jo t’i gëzohet lëshimit të Bllokut B.

“Nuk është hera e parë që bjen e rikthehet ky bllok. Kryeministri i paska bërë disa pyetje hipotetike: Eh sikur ta kishim të renovuar Kosovën A…eh sikur ti kishim blloqet B-3, B-4… eh sikur…Po paska harru të thotë: eh sikur të mos e kisha bllokuar projektin “Kosova e Re”; eh sikur të mos e kisha refuzuar gazin amerikan…” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai madje i ka thënë Kurtit të “mos vajtojë” por të gjejë zgjidhje, duke mos e shtrenjtuar rrymën dhe duke i lënë retorikat.

Më herët, kryeministri Albin Kurti përshendeti aktivizimin e Termocentralit “Kosova B” duke thënë se po funksionon shumë mirë dhe se vetëm për një ditë, ky termocentral do t’i kursejë vendit 1.4 milionë euro import të rrymës.