Haradinaj merr pjesë në rivarrimin e dëshmorit Hoxha: Sakrifica e tij na obligon ta ruajmë lirinë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në rivarrimin e dëshmorit Jeton Hoxha.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se ky dëshmor nga sot do të prehet pranë bashkëluftëtarëve të idealit, në Shqiponjë të Dushkajës, trevë e shumë luftëtarëve të zotë që i dhanë kahje luftës kundër armikut.
Postimi i plotë:
Shqiptarët ndër shekuj luftuan për liri në trojet e tyre. Shumë vuajtje e shumë sakrifica kaluam si popull; shumë shqiptarë ndër breza u flijuan për liri e shtet, ëndërr e cila u kurorëzua nga lufta çlirimtare e UÇK-së.
Sot, në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me shumë miq, bashkëluftëtarë e familjarë, mora pjesë në rivarrimin e dëshmorit Jeton Hoxha. Ai, nga sot, do të prehet pranë bashkëluftëtarëve të idealit, në Shqiponjë të Dushkajës, trevë e shumë luftëtarëve të zotë që i dhanë kahje luftës kundër armikut.
Sakrifica e Jetonit dhe e shumë dëshmorëve të tjerë na obligon që të forcojmë shtetin tonë dhe të ruajmë me nder lirinë për të cilën u derdh gjak.
Përgjithmonë krenar me heronjtë tanë dhe me rrugëtimin tonë drejt lirisë!/Indeksonline/

