13:29 / E Mërkurë, 29 Janar 2020

Haradinaj, merr vendim për kompensim financiar për familjarët e policëve të rënë, në detyrë

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka vizituar policin e plagosur, Artur Mrasori, i cili është duke u trajtuar në QKUK, pas plagëve që mori mbrëmë gjatë kryerjes së detyrës në Zhur, gjatë aksionit antidrogë.

Me këtë rast Haradinaj falënderoi doktorët që kanë treguar kujdes ndaj Mrasorit, derisa tha se nëse ka nevojë ai dhe policët e tjerë do të trajtohen edhe jashtë vendit, përcjell Indeksonline.

“Vdekja e policit Thaçi është lajm i dhimbshëm dhe  i vështirë për familjarët, kolegët e tij dhe të gjithë qytetarët, deri sa janë edhe dy të tjerë të lënduar. Njëri nga ta është në trajtim në QKUK dhe për fat të mirë është jashtë rrezikut për jetën, e për këtë falënderoj edhe doktorët, por që lëndimet që ka marrë janë me pasoja”.

Haradinaj foli edhe për dy ligjet për policët, për atë të sigurimeve shëndetësore dhe të pensionit të parakohshëm, e sipas të cilit tha se do të ndodhë shumë shpejtë

“Sigurimet shëndetësore, kërkesë e drejtë kjo e policisë. Dy ligjet ai për sigurimet dhe pensionimin e parakohshëm, por që jemi në pritje të formimit të qeverisë. Dy ligjet janë në proces, por që s’mund tani të dërgojmë në parlament ligje, por besoj që do të ndodhë. Gjatë këtyre viteve kemi qenë më afër policisë me buxhet, por që dy ligjet janë të domosdoshme”.

Kryeministri…, gjithashtu informoi se krahas pensionit, familjarëve të cilët kanë rënë në detyrë do t’u ndahet një shumë që do ta marrin vazhdimisht.

Kujtojmë, se Haradinaj sot ka vizituar edhe Drejtorinë e policisë në Prishtinë./Indeksonline