75 Mall Live Search
17:28 / E Hënë, 01 Prill 2019 / indeksADMonline

Haradinaj: Ndërkombëtarët mbyllën sytë para krimeve në Kosovë, nuk do ndalemi së kërkuari drejtësi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare se ka mbyllur sytë para krimeve që janë kryer në Kosovë nga Serbia, njofton Indeksonline.

Sipas tij, duhet të vendoset drejtësia dhe kjo mund të bëhet vetëm  nëse nuk harrohet se çfarë ka ndodhur dhe se nga kanë ardhur.

Haradinaj këto komente i bëri në Akademinë Përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të masakrës së Lybeniqit.

“Lufta goditi në masë të madhe, përpos martirëve në këtë përvjetor i dënojmë. Përpos martirëve plaga e të pagjeturve. Është për çudi që edhe bashkësia ndërkombëtare i ka mbyll sytë para këtyre masakrave krimeve që janë kryer në Kosovë. Mënyra më e mirë me vendos të drejtën ton është që çdo herë mos me harru se nga jemi ardhur. Kemi ra në kaq shumë dhimbje kaq shumë plagë”, tha kreu i ekzekutivit.

Ai premtoi se në mënyrë të dinjitetshme do i trajtojnë familjarët e martirëve dhe të pagjeturve në statutin, të cilin siç tha Haradinaj, janë duke trajtuar me prioritet.

“Unë çdoherë në prezencë me ju në Lybeniq ju kam parë që jeni të fortë… Sa do që deri sot ka ndodh e dimë që jemi borxh, jemi borxh ndaj të gjithë familjeve të pagjeturve, e dimë që prisni shumë ma shumë. Nuk do ndalemi së kërkuar drejtësi dhe me vendos të drejtën si i takon popullit tonë. Nuk do ndalemi deri sa nuk iu sigurojmë në mënyrë të dinjitetshëm statutin e familjeve të martirëve dhe të pagjeturve”, tha ai.

Më 1 prill të vitit 1999, në Lybeniq të Pejës, njësitë paramilitare serbe nën drejtimin e grupit ‘Çakejt’ rrethuan dhe më pas hynë në brendësi të fshatit.

Pasi i tubuan banorët në qendër të fshatit, ata i ndanë burrat dhe gratë e më pas i ekzekutuan në mënyrat më çnjerëzore. /Indeksonline/