Haradinaj nderon Jasharajt në Prekaz: Këtu kujtojmë sakrificën më sublime për liri

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë sot homazhe te memoriali i familjes Jashari në Prekaz, në ditën e parë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haradinaj me këtë rast ka thënë se në Prekaz kthehet në kujtesë sakrifica sublime për liri e familjes Jashari.
“Te Prekazi i komandantit legjendar Adem Jashari kujtojmë gjithnjë sakrificën më sublime për liri. Familja Jashari do të jetë përjetësisht e nderuar dhe frymëzimi më i madh i dashurisë për kombin”, u shpreh ai.
Kryetari i AAK-së ka thënë se Epopeja e UÇK-së është e skalitur me emrat e të gjithë të rënëve.
“Epopeja e UÇK-së është e skalitur me emrat e heronjve, dëshmorëve e martirëve tanë, është kohë që kthen në kujtesën tonë kolektive emrat e atyre që flijuan jetën për liri, invalidëve të luftës, veteranëve dhe të pagjeturve në të gjitha trojet shqiptare! Lavdi të rënëve ndër breza dhe luftës së UÇK-së!”, tha Haradinaj.


