75 Mall Live Search
13:20 / E Hënë, 08 Nëntor 2021 / MSH

Haradinaj në përkrahje të punëtorëve shëndetësorë: Kosova ka hyrë në krizë të thellë sociale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova po hyn në krizë të thellë sociale dhe se qytetarët kanë filluar të përballen me mbijetesë.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se rritja enorme e çmimeve ka goditur çdo shtresë të popullsisë. 

“Qeveria e Kosovës, i ka lënë në pozitë të vështirë kategoritë të cilat kanë bartur barrën kryesore të përballjes me pandeminë, si pasojë e së cilës edhe ekonomia edhe bizneset kanë përjetuar goditje të rëndë”, ka shkruar ish-kryeministri i Kosovës.

Haradinaj ka bërë të ditur se ai është në përkrahje të protestës së punëtorëve të Shëndetësisë, të organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

“Për krejt këto arsye, sot jam me punëtorët shëndetësorë që protestojnë për të drejtat e tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Kreu i AAK-së ka thënë se “Qeveria duhet të kthjellohet urgjentisht dhe të konsiderojë të gjitha masat e nevojshme që e lehtësojnë përballimin e kësaj situate të rëndë”.

“Kërkesa jonë urgjente është që Ligji i Pagave të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës, si dhe përpilimi i buxhetit të ri të jetë në përputhje të plotë me nevojat imediate që reflektojnë përballjen me situatën e rëndë ekonomike e sociale.”

Ndryshe, Blerim Syla kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka thënë se protestat do të vazhdojnë dhe se Ligji i Pagave do të sjellë barazinë sociale që kjo qeveri e ka premtuar për qytetarët.

Protesta ka paralajmëruar edhe Sindikata e Arsimit, të cilët kanë kërcënuar me bllokim të sistemit arsimor.

Ky është postimi i plotë i Haradinajt:

Kosova po hyn në krizë të thellë sociale. Qytetarët kanë filluar të përballen me mbijetesë. Rritja enorme e çmimeve ka goditur çdo shtresë të popullsisë.

Qeveria e Kosovës, i ka lënë në pozitë të vështirë kategoritë të cilat kanë bartur barrën kryesore të përballjes me pandeminë, si pasojë e së cilës edhe ekonomia edhe bizneset kanë përjetuar goditje të rëndë.

Për krejt këto arsye, sot jam me punëtorët shëndetësorë që protestojnë për të drejtat e tyre.

Qeveria duhet të kthjellohet urgjentisht dhe të konsiderojë të gjitha masat e nevojshme që e lehtësojnë përballimin e kësaj situate të rëndë.

Kërkesa jonë urgjente është që Ligji i Pagave të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës, si dhe përpilimi i buxhetit të ri të jetë në përputhje të plotë me nevojat imediate që reflektojnë përballjen me situatën e rëndë ekonomike e sociale.