Haradinaj në vizitë te kompania e një gruaje, që shënoi rezultate impresive për një kohë të shkurtë
Kryeminsitri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot në Junik, ku ka vizituar kompaninë për kultivimin dhe shitjen e frutave dhe perimeve “Luna”, e cila është hapur me para të investuara nga diaspora.
Haradinaj ka thënë se kjo kompani e udhëhequr nga Delvina Krasniqi ka arritur rezutlate impresive për një kohë të shkurtër.
“Agroindustria e Kosovës po e zë vendin e respektuar në tregjet europiane. Shembull i mrekullueshëm është kompania e kultivimit dhe shitjes së frutave e perimeve “Luna” në Junik, investim nga diaspora. E themeluar nga Delvina Krasniqi, kjo kompani për një kohë të shkurtër ka arritur rezultate impresive, duke u shndërruar në njërin prej plantacioneve më të mëdha të kultivimit të frutave në vend. Familja Krasniqi ka në pronësi edhe kompanitë “German Plast” dhe “Joos Krasniqi”, për veprimtarinë dhe rezultatet e të cilave u njoftova nga pronari i tyre, Zenuni”, ka shkruar Kryeminsitri në detyrë.
Haradinaj ka thënë se prodhuesin dhe bizneset vendore i ka vendosur si prioritet, duke ndërmarrë një varg masash mbrojtëse, që sipas tij rezultuan me ngritje të cilësisë, zgjerim të kapaciteteve dhe shtim të vendeve të reja të punës. “Fuqia e Kosovës sipas konceptit 100% shtet matet me parametrat ekonomik, prodhimin vendor dhe konkurrueshmëri në tregun botëror”, ka theksuar në fund Haradinaj.

