75 Mall Live Search
10:10 / E Mërkurë, 23 Prill 2025 / H F

Haradinaj: Nëse ka një kandidat unifikues për kryeparlamentar, e votojmë

I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, para vazhdimit të seancës konstituive të kuvendit, deklaroi se nuk ka informacione nëse do të ketë ndonjë ndryshim në propozimin për emrin e kryetarit të kuvendit.

Ai theksoi se partia që ai drejton do të mbështesë çdo kandidat unifikues. “Nëse do të ketë një kandidat unifikues, ne do ta japim votën. E kemi thënë këtë më herët”, tha Haradinaj, transmeton IndeksOnline.

Duke komentuar përmendjen e emrave të Saranda Bogujevcit dhe Shqipje Selimit si kandidate potenciale, Haradinaj sqaroi se ato nuk janë propozime të AAK-së, por vetëm opsione që janë diskutuar.

“Sot kanë mbajtur një konsultë, më tregoi Tima. Ne nuk kemi dhënë ndonjë opsion konkret dhe nuk kam informacion nëse do të ketë ndryshime. Sa i përket Sarandës, ajo ka qenë nënkryetare dhe e kemi parë në udhëheqje të seancave. Ka qenë korrekte dhe me qëndrim të respektueshëm. Për ne nuk do të ishte problem ta votonim”, u shpreh Haradinaj.

Ai përmendi gjithashtu se edhe emri i Shqipe Selimit është diskutuar, por jo si propozim zyrtar i AAK-së. “Siç e dini, edhe Dauti e Lahiu kanë marrëdhënie të mira me Rexhën. Ka qenë një diskutim që ka lindur rastësisht. Nuk janë propozime tona, por mundësi që janë përmendur”, përfundoi Haradinaj.