75 Mall Live Search
14:17 / E Shtunë, 20 Shtator 2025 / F.R

Haradinaj nga Mitrovica: Vota për numrin 174 është zgjedhja për një Mitrovicë që bën Dritë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në qytetin e Mitrovicës në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të Aleancës për këtë qytet.

“Mitrovica, që nga ditët e para të angazhimit tonë për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë, ka qenë gjithmonë pjesë e kauzës sonë. Që atëherë e deri më sot, kemi qenë të përkushtuar për Mitrovicën dhe për Veriun e vendit. Kam qenë gjithmonë pranë njerëzve të vyeshëm e atdhetarë të Mitrovicës dhe të gjithë kësaj treve. E përkrahëm pa rezervë me projekte të shumta zhvillimore dhe mbi të gjitha, i kthyem Trepçën në pronësi të Kosovës, edhe ligjërisht. Vetëm në këtë komunë, si kryeministër i drejtuam mbi 121 milionë euro në projekte madhore”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se Mitrovica ka arsye të forta ta mbështesë konceptin “Dritë për Mitrovicën”, sepse Aleanca ka dëshmuar gjithmonë rezultate kur ka marrë përgjegjësi.

Në këtë kuadër, Haradinaj ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin e Aleancës për kryetar të Mitrovicës, Qazim Nimani, duke e cilësuar atë si një figurë që ka qenë gjithmonë aktive në çështjen kombëtare, ka shërbyer qytetarëve në kohët më të rënda të okupimit dhe ka mbajtur funksione të rëndësishme gjatë shtetndërtimit.

“Qazim Nimani dhe lista jonë për Asamble kanë për t’ia rikthyer qytetit madhështinë që meriton. Vota për numrin 174 është zgjedhja për një Mitrovicë që bën Dritë në jetën e përditshme të çdo qytetari”, ka përfunduar Haradinaj.