22:02 / E Mërkurë, 28 Mars 2018 / indeksADMonline

Haradinaj pa shumicë parlamentare

Lista Serbe është larguar nga Qeveria e Kosovës për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të Mitrovicës, ku shefi i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, u arrestua nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Mirëpo, sa do të ndikojë largimi i tyre nga ekzekutivi, kur dihet se ata i kanë vendet e rezervuara në kuvend, njohësit e çështjeve politike kanë dhënë mendime të ndryshme.

Në një prononcim për Indeksonline, analisti Behlul Beqaj është shprehur se Qeveria mund të funksionoi edhe pa ta, por serbet janë kategori kushtetuese në Parlament.

“Qeveria mund të funksionoi edhe pa serbet në Qeveri, por serbët janë kategori kushtetuese me vende të rezervuara në Parlament, ata nuk kanë thëne se do të largohen edhe nga Parlamenti. Rrjedhimisht, çdo vendim i Qeverisë, nëse serbët heqin dorë edhe nga Parlamenti, veçmas për çështje ku preken interesat etnike të pakicave, mund të kontestohet pa pjesëmarrjen e serbëve në vendimmarrje, pavarësisht se kjo po bëhet sipas vullnetit të tyre”, është shprehur Beqaj.

Beqaj nuk i ka përjashtuar zgjedhjet. Sipas tij, vendi duhet të shkoi në zgjedhje nëse ekziston alternativë e duhur që do t’i përmbyllte proceset e hapura.

“Zgjedhjet nuk përjashtohen. Por, vendi duhet të shkoi në zgjedhje nëse ekziston alternativa e duhur e cila mund t’i përmbyll proceset hapura. Aktualisht nuk po shoh se ekziston një alternativë e tillë. Së dyti, nuk besoj se një mundësi e tillë do të mbështetet nga ndërkombëtarët. Prandaj, me këta aktorë do të shkohet në zgjidhjen e “çështjeve të mëdha” me shpresë se fuqia e kompetencave shtetërore ndërkohë nuk do të zvogëlohet”, ka shtuar Beqaj.

Në anën tjetër, politologu Donik Sallova thotë se kryeministri Haradinaj duhet të reflektoi dhe të kërkojë mbështetjen e opozitës.

Sallova në një prononcim për Indeksonline ka thënë se Qeveria Haradinaj është e pakicës dhe nuk ka shumicë parlamentare prapa vetës, prandaj duhet të kërkojë mbështetjen e opozitës.

“Tashmë Qeveria Haradinaj është qeveri e pakicës, sepse nuk ka një shumicë parlamentare prapa vetes. Kjo gjë dihej qe kur u formua qeveria mbi këtë koalicion qeverisës i cili nuk kishte shumicën shqiptare. Tani unë besoj qe Haradinaj duhet të reflektoj dhe të kërkojë mbështetjen e opozitës, duke propozuar një qeveri me bazë të gjerë ose qeveri teknike deri në një periudhe te caktuar, ndoshta 1 vjeçare, por ku Haradinajt mund t’i duhet te tërhiqet nga posti i kryeministrit. Kështu do kishim mundësi për një stabilitet dhe konsensus politik për temat e mëdha qe na presin”, ka thënë Sallova.

Ai ka shtuar se pas dorëheqjes, ministrat e tyre duhet të zëvendësohen me të rijnë, sipas kërkesës së paku një ministër të jetë nga pakica serbe.

“Vet fakti qe Srpska është tërhequr nga Qeveria, duhet te konsiderohet qe i ka tërhequr ministrat dhe ata duhet te zëvendësohen me ministrat të rijnë, sipas kërkesës qe se paku një ministër të jetë nga pakica serbe”, ka shtuar ai.

Sallova ka thënë se serbët lokal duhet të vetëdijesohen se pjesëmarrja në qeveri duhet të përfaqësoi ata e jo interesat e Beogradit.

“Kosova më nuk duhet të varet nga prezenca e një subjekti politik te Beogradit në qeveri, serbët lokal më nuk duhet të varet nga prezenca e një subjekti politik të Beogradit në Qeveri. Serbët lokal duhet të vetëdijesohen dhe nëse duan pjesëmarrje në Qeveri duhet të delegojnë parti që i përfaqësojnë ata dhe jo interesat instrumentale të Beogradit”, ka përfunduar Sallova.

Kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, i cili njëherësh është kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut, dje ka bërë me dije se kjo parti më nuk do mbështesë Qeverinë Haradinaj. Kjo pas zhvillimeve të fundit, ku Marko Gjuriq drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është arrestuar nga Njësia Speciale e Kosovës, pasi ai hyri në mënyrë ilegale në veri të Mitrovicës, pa lejen paraparake të MPJ-së./Indeksonline/