Haradinaj: Pajtimi me Serbinë, nuk ka kuptim nëse mohohen krimet e luftës
Kryeministri i kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është jashtë çdo logjike që të kërkohet nga Kosova që të plotësohen kushtet e Serbisë për të qenë pjesë e dialogut, transmeton Indeksonline
Kjo, kur pasi sipas tij, ende nga liderët serbë mohohen krimet e bëra në Kosovë.
“Nuk është rruga përpara duke i mohuar këto krime. Janë dhjetëra e dhjetëra vende ku janë vrarë civil të pafajshëm, prej fëmijëve tek të moshuarit, të dy gjinive, të dy besimeve”.
“Nuk ka kuptim një lloj pajtimi i kryeqendrave, është e pakuptimtë, ka dalë jashtë çdo logjike. Është e kotë si ka mundësi me u mohu se ekziston Krusha, se ekziston Meha. Si ka mundësi që liderët në Serbi me e mohu këtë të vërtetë, se duan me i dhanë paqe Ballkanit. Si ka mundësi me i kërkuar Kosovës me i plotësuar kushtet e Serbisë për me shkuar në dialog”, tha Haradinaj në përkujtim të 241 martirëve të masakrës së Krushës së Madhe.
Ai ka pranuar se edhe sfera politike është me faj, mirëpo është zotuar se do të përgjigjen ndaj çdo kritike.
Haradinaj ka përmendur edhe punësimet e familjarëve në institucione shtetërore.
“Edhe pse ne politika kemi shumë faje dhe përgjigjemi për kritikë në shumë drejtime ne do t’i nderojmë të rënët duke punuar më sinqertë për vendin tonë, duke mos e vjedh vendin tonë, duke mos menduar vetëm për familjarët tanë dhe me vendos një rend dhe ligj”, tha Haradinaj.
Paraprakisht kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë homazhe për të rënët në Krushë të Rahovecit./Indeksonline/