Haradinaj, pas vendimit të SHBA-së: Po kalojmë ditët më të errëta në histori, urgjentisht të reflektojmë!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas njoftimit të SHBA-së për ndërprerje të bashkëpunimit strategjik me Republikën e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova po kalon ditët më të errëta të historisë së saj, shkruan IndeksOnline.
“Kosova po i kalon ditët më të errëta në historinë e vet. Ka një kohë të gjatë që unë dhe Aleanca kemi tërhequr vërejtjet tona për sjelljet e papërgjegjshme dhe destruktive të Kurtit dhe qeverisë së tij. Ndërsa sot gjendemi në një situatë që nuk ka mundur të paramendohet për Kosovën.
I ftoj të gjitha forcat politike dhe gjithë shoqërinë kosovare që urgjentisht të reflektojmë për situatën në të cilën gjendemi” u shpreh Haradinaj.
Lajmin për ndërprerjen e bashkëpunimit strategjik e dha sot Ambasada e SHBA-së në Kosovë, që la në faj qeverinë në detyrë për këtë vendim./IndeksOnline/