Haradinaj për kandidaturën e tij si president: Besimi ka kosto, s’pranoj përgjegjësi si i nënshtruar

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Report Tv, ka folur edhe për situatën aktuale politike në vend.
Ai ka thënë se për kandidaturën e tij për president, pasi që ka marrë besimin e partisë së tij, ka arritur t’i lajmërojë edhe aleatët e koalicionit, duke ua treguar atyre për synimet që ka.
“Njëkohësisht atëherë kemi fillu negociatat me parti politike, si fillim kam punu me LDK-në, më pas me kryetarin Limaj. Është e vërtetë që unë s’jam kandidat i tyre, por unë jam pjesë e koalicionit dhe i kam sqaru besoj mjaftueshëm marrëdhëniet me ta dhe s’kam pas ndonjë kundërshtim në këtë kandidaturë.
Pastaj kemi negociu edhe me PDK-në, por s’kemi arrit me përmbyllë atë negocim.
Edhe tani ka komunikime, negociatat vazhdojnë. Si Aleancë dhe unë, nuk pranoj asnjë përgjegjësi si i nënshtruar, apo si i vlerësuar gabim”, ka thënë Haradinaj, transmeton Indeksonline.
Ai ka shtuar se nëse dëshirojnë që t’ia japin besimin atij, ai besim ka koston e vet, prandaj edhe s’pranon të marrë përgjegjësi si i nënshtruar.
“Çdo marrëveshje politike, ajo e atëhershme me PAN-in, i ka plotësu interesat e të dyja palëve. Stabiliteti i kësaj qeverie është një marrëdhënie me Listën Serbe”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj./Indeksonline