12:36 / E Enjte, 05 Shtator 2019 / indeksADMonline

Haradinaj: Për kapje shteti janë përgjegjëse PDK- LDK

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka fajësuar sot Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për kapje shteti.

Duke folur për kandidatët me aktakuza dhe kapjen e shtetit në debatin e radhës “Talk to Talk” të kolegjit “Riinvest”, Haradinaj ka thënë se nuk është meritor për asnjërën nga këto, pasi janë PDK-ja dhe LDK-ja që kanë qenë pothuajse konstante në pushtet.

Krejt çka i takon atij të japë llogari, kryeministri në detyrë, tha se është nëse nuk ka bërë mjaftueshëm për shkapjen e shtetit.

“Përgjegjës për kapje të shtetit janë ata që kanë mbajtur përgjegjësi, në këtë rast, në nivelin nacional janë PDK-LDK. PDK-ja më shumë, por edhe LDK-ja është përgjegjëse dhe ata duhet të japin llogari para të tjerëve se pse ka ndodhur kapja e shtetit. Mund të ketë kritika për mua pse s’kam bërë më shumë për shkapjen e shtetit nga shtatori deri tashti dhe jam dakord t’i jap llogaritë e mia. Por, nuk mundem me qenë meritor për kapjen e shtetit, të cilën në 2017 kam marrë detyrat në punë dhe nuk jam emërues as i kuadrit të lartë në gjyqësor, as në prokurori, as diku tjetër”, tha ai.

I pyetur, nëse AAK-ja do të përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë persona që kanë aktakuza, ai tha se përderisa ligji e lejon kandidimin e këtyre të fundit në zgjedhje, një gjë të tillë nuk do ta ndalojë as ai në partinë e tij.

Sipas tij, është mirë që pikëpyetjet të mbyllen me ligj. Ai theksoi se AAK-ja nuk do të nxjerrë norma të reja, porse shtoi se nëse Kosova vlerëson se duhet të ndërrojë ligjet, atëherë janë për.

Ai përmendi edhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, që vjen nga radhët e AAK-së, e që ndaj tij ka aktakuzë për rastin e veteranëve të luftës.

“Për shembull, unë e kam Rrustem Berishën, ministrin e Mbrojtjes. Ai është i përfshirë në aktakuzën për veteranët. Nuk e di çfarë përgjegjësie ka pasur ose ka ai realisht, qysh është përfshirë aty. Tashti unë me ia ndalu atij kandidaturën është tepër e çuditshme. Ligji nuk ia ndalon, ai e ka besimin me udhëheq Ministrinë e Mbrojtjes. S’ka logjikë, dalë jashtë çdo parametri të të drejtave të njeriut, lirive politike të cilat vetëm gjykata mund t’ia ndalojë”, tha Haradinaj.

Duke folur për këtë, ai akuzoi sërish PDK-në dhe LDK-në që nuk i kanë ndryshuar ligjet, kurse tashti kur janë afër zgjedhjet thirren në atë se nuk kanë njerëz me aktakuza në listat e tyre.

“PDK – LDK, se tashti këto janë më të zëshme. Këto janë në pushtet prej pasluftës në vazhdimësi, gjithë kohën, nga 99 deri më sot. Këta nuk i kanë ndryshuar ligjet, dhe sot dalin pse janë zgjedhjet 3 javë përpara, dhe thonë se: ‘ne nuk kemi njerëz me aktakuza’. Më falni, por ju keni qenë edhe kadia edhe gjyqtari tërë kohën. Pse nuk i keni ndryshuar këto ligje, me ia mundësuar popullit me qenë i mbrojtur si duhet”, u shpreh ai.     

I pyetur për listat e veteranëve, Haradinaj mohoi se Kosova ka 60 mijë veteranë, teksa theksoi se nuk do të lejojë askënd të nëpërkëmbë veteranët.

“Unë nuk e di se ku e merrni ju këtë numër. Nuk e di se janë 60 mijë veteranë, ju lutem interesohuni për numrat sa janë. Nuk e di saktë. Këtë që po thotë dikush 60 mijë, nuk e di pse thotë. Nëse e keni gjetur diku se janë 60 mijë, unë mund ta shoh. Por, ne punojmë me statistika”, u shpreh Haradinaj.

Krejt në fund, ai foli edhe për dialogun me Serbinë dhe reciprocitetin, me ç’rast pati një porosi për qeverinë e re pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“I kisha lut kushdo që i fiton zgjedhjet, ne synojmë për t’i fituar, i kisha lutur mos të hyjnë në obligime të gabuara të reciprocitetit, sepse do t’i vuajnë pasojat shumë shpejt. Nëse dikush mendon me e heq taksën me reciprocitet, çfarë do të jap pastaj për njohje, sepse nuk është problemi i pezullimit për njohje, problemi është që Serbia vetëm për t’u kthyer në tavolinë po e kërkon tregun, e pastaj për njohjen që mendohet se është sakrificë më e madhe çfarë do të kërkojë. Çka do të japin këta të mençurit e Kosovës, Albini, Isa, Vjosa, Kadriu ose Hashimi”, u shpreh Haradinaj.

Ai ka porositur po ashtu se kushdo që e përfaqëson Kosovën pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk duhet harrojë se përfaqëson një vend sovran.

AAK-ja do të kandidojë me një listë të përbashkët me PSD-në e Shpend Ahmetit, pasi kanë nënshkruar koalicionin parazgjedhor, ndërsa sa i përket përfaqësimit të grave në këtë listë, Haradinaj tha se do të respektojnë kuotën prej 30 për qind.