13:14 / E Mërkurë, 22 Maj 2019 / indeksADMonline

Haradinaj për masakrën e Vushtrrisë: S’do të kaloj pa u dënuar!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në 20 vjetorin e masakrës në Vushtrri ka përsëritur se të gjitha krimet e bëra në Kosovë do të dënohen.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se këtë ditë, Vushtrria dhe tërë vendi e kanë kthyer në kujtesë institucionale sa e vështirë ishte rruga deri në liri, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i Haradinajt:

Në 20-vjetorin e masakrës në Vushtrri, ku u ekzekutuan brenda pak orësh dhjetëra shqiptarë dhe shumë të tjerë u plagosën, Kosova e vazhdon betejën e saj për të vërtetën. Këtë ditë, Vushtrria dhe mbarë Kosova e kanë kthyer në kujtesë institucionale, si dëshmi ndër breza se sa e vështirë ishte rruga jonë deri në liri. Shteti serb, me gjithë gjenocidin mbi shqiptarët, edhe pas dy dekadave, refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera.

Nuk do të lejojmë që masakrat më makabre në tërë Kosovën të kalojnë pa u dënuar. Kosova nuk harron! Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve! /Indeksonline/