09:51 / E Premte, 15 Mars 2019 / indeksADMonline

Haradinaj për sulmin në Zelandë të Re: Terrorizmi, e keqja më e madhe që duhet të përballemi bashkë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave nga sulmi terrorist në xhamitë e Zelandës së Re.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale.

Më poshtë postimi i Haradinajt:

Akti terrorist në Zelandë të Re, ku mbeten të vrarë dhjetëra njerëz të pafajshëm, cenon vlerat e një vendi të lirë dhe na prekë të gjithëve. Në emër të Qeverisë së Kosovës, shpreh dhimbjen për viktimat njerëzore të kësaj ngjarje të rëndë.

Ngushëllime familjeve dhe institucioneve të Zelandës së Re. Terrorizmi, pa marrë parasysh nga kush vjen, është e keqja më madhore me të cilën duhet të përballemi të gjithë së bashku. Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj përkrah aleatëve strategjikë për sigurinë globale.