75 Mall Live Search
23:19 / E Martë, 17 Dhjetor 2024 / MSH

Haradinaj: Plani aksional në NATO është real, kam punuar ngushtë me partnerët tanë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një interviste në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka deklaruar se plani për anëtarësimin e Kosovës në NATO është një projekt konkret dhe tashmë është në tavolinën e administratës së re që po vjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kam garanci se ky plan është real dhe është pjesë e diskutimeve brenda administratës amerikane. Kjo është rezultat i lidhjes së vazhdueshme dhe besueshmërisë së krijuar me Pentagonin gjatë viteve,” ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se situata gjeopolitike aktuale i mundëson Kosovës të hyjë në NATO me një procedurë të përshpejtuar.

“Kosova është ndërtuar mbi premisat e NATO-s, dhe kjo i hap dyert për një anëtarësim të shpejtë. Situata e krijuar në rajon e ka bërë këtë proces jo vetëm të mundshëm, por edhe të domosdoshëm,” ka potencuar Haradinaj.

Sipas tij, kjo qasje do të sigurojë që Kosova të jetë një kontribuuese aktive e sigurisë globale dhe rajonale, si dhe një partnere e besueshme brenda Aleancës Veri-Atlantike.