75 Mall Live Search
18:26 / E Enjte, 03 Tetor 2024 / L K

Haradinaj premton përmirësimin e bazës ligjore për personat me nevoja të veçanta dhe rritje 50% në të gjitha skemat pensionale dhe sociale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës në Gjilan, ka vizituar edhe Shoqatën HANDIKOS. 

Haradinaj ka thënë se është informuar nga kreu i HANDIKOS-it për sfidat me të cilat përballet kjo kategori e shoqërisë. 

“Në Gjilan, u pritëm përzemërsisht në shoqatën HANDIKOS nga kryetari i saj Fatmir Shurdhani, ku qëndrova i shoqëruar nga kryetari i Aleancës në Gjilan, Nazim Gagica e kolegë të tjerë. Takimi me këta njerëz të mrekullueshëm e plot ide ishte shumë frytdhënës. Z. Shurdhani na informoi hollësisht për situatën e personave me nevoja të veçanta, duke përfshirë aspektin ligjor”, ka thënë Haradinaj. 

Haradinaj ka shtuar se kjo kategori e shoqërisë sonë përballet me neglizhencë nga institucionet. 

“Është e papranueshme që kjo pjesë e ndjeshme e shoqërisë sonë, përballet me neglizhencë nga institucionet. Ligji aktual, e po ashtu edhe skemat aktuale pensionale dhe sociale nuk reflektojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve e as koston reale të jetesës, veçanërisht atyre që kanë nevojë për dorën e shtetit. Programi ynë parasheh përmirësimin e bazës ligjore për personat me aftësi të kufizuara, si dhe rritje 50% në të gjitha skemat pensionale dhe sociale”, është shprehur Haradinaj. 

Ai është zotuar se pas 9 shkurtit do të ndërtojnë një Kosovë që kujdeset për të gjithë. 

“Bashkërisht, pas 9 shkurtit, do të ndërtojmë një Kosovë që kujdeset për të gjithë qytetarët e saj”, ka përfunduar ai.