Haradinaj premton rritje pagash prej 50% në sektorin e arsimit dhe digjitalizim të plotë të procesit mësimor

Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë (A.U.K).
Haradinaj gjatë këtij bashkëbisedimi, ka ndarë vizionin e AAK-së për transformimin e arsimit të lartë në Kosovë.
“Pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me studentët e RIT (A.U.K); një gjeneratë e jashtëzakonshme e të rinjve tanë që po përgatiten për të ardhmen. Ndava me ta vizionin tonë për transformimin e arsimit të lartë në Kosovë. Nuk ka më kohë për premtime – duhet veprim i menjëhershëm dhe reforma rrënjësore.
Çka do të bëjmë?
Rritje të buxhetit për arsimin në 6% të GDP-së
50% rritje page për të gjithë punëtorët e arsimit
Implementim të modelit gjerman të arsimit dual
Investime të mëdha në fushat STEM
Trajtim të barabartë për universitetet publike dhe private
Digjitalizim të plotë të procesit mësimor”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se studentët e RIT më bindën edhe një herë se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm.
“Studentët e RIT-it më bindën edhe një herë se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm. Por ky talent kërkon përkrahje institucionale dhe kushte të duhura. Me planin tonë, do të ndërtojmë një sistem arsimor që përgatit të rinjtë për tregun e punës dhe që i mban ata në Kosovë. Bashkë do ta bëjmë Kosovën Fituese – një qendër rajonale të dijes dhe inovacionit”, është shprehur Haradinaj.