75 Mall Live Search
13:19 / E Martë, 01 Qershor 2021 / AR

Haradinaj pret në takim Palmerin, ja çka u bisedua

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew A. Palmer dhe ambasadorin Philip Kosnett, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

Në këtë takim, kreu i AAK-së, ka theksuar se partia të cilën ai e drejton është e vendosur në qëndrimin e saj që roli amerikan në dialog është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke.

“Gjithashtu, ritheksova nevojën e perspektivës euroatlantike të Kosovës dhe antarësimin e saj në NATO”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Sot, në selinë e Aleancës zhvillova një takim me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Mattheë A. Palmer Zëvendës-Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun dhe z.Philip S. Kosnett, ambasador në Kosovë, me të cilët diskutuam për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

Kosova ka treguar maturi në funksionim dhe konsolidim të demokracisë, në standardet më të larta dhe është e palëkundur në raportin bilateral dhe strategjik, si dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takim ritheksova se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj që roli amerikan në dialog është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke.

Gjithashtu, ritheksova nevojën e perspektivës euroatlantike të Kosovës dhe antarësimin e saj në NATO.

Kosova është me fat që gjendet përkrah Amerikës, shtet që përkrahu çlirimin dhe ndërtimin e shtetësisë tonë, që edhe më tutje është aleati jonë strategjik dhe partneri më i besueshëm.

RH