10:42 / E Martë, 10 Tetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj pretendon ta heq barrën nga vetja, i orienton veteranët e luftës kah Kuvendi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk i ka mashtruar veteranët e luftës që kanë protestuar të hënën para Qeverisë dhe Kuvendit, mirëpo jo edhe aq lehtë mund t’i shmanget përgjegjësisë për vonesat në shpërndarjen e pensioneve për kategoritë e dala nga lufta.

Ai u ka thënë protestuesve se Qeveria e ka përcjell në Kuvend Projektligjin për rishikimin e buxhetit dhe tash gjithçka varet nga deputetët.

Në të vërtet, Qeveria e ka proceduar në Kuvend këtë dokument qysh para afro tri jave, më saktësisht me 22 shtator.

Kryeministri ka kërkuar që ky projektligj të shqyrtohet në procedurë të përshpejtuar, shkruan AktivPress.

Mirëpo, siç kishte shkruar gazeta edhe para dy jave, kërkesa e Haradinajt ishte bërë ende pa u formuar Komisionet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Rrjedhimisht, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk e ka proceduar kërkesën e kryeministrit me urgjencën e kërkuar, pasi Kuvendi ishte vonuar me krijimin e mekanizmave të brendshëm.

Pos kësaj, siç ka thënë për AktivPress një deputet nga koalicioni PANA, kërkesa e Haradinajt për shqyrtim në procedurë të përshpejtuar të Projektligjit për rishikimin e buxhetit, ka një pengesë tjetër shumë më të madhe.

“Për t’u futur diçka në procedurë të përshpejtuar kërkohen votat e 2/3 të deputetëve në Kuvend, kuotë kjo që nuk mund të arrihet në asnjë mënyrë nga koalicioni PANA”, ka thënë ai, duke shpjeguar se më e arsyeshme është parë që procesi të shkoj në procedurë të rregullt, po që merr më shumë kohë.

Se veteranët duhet të presin edhe 20 ditë ka thënë edhe anëtari i kabinetit të Veselit, Ilmi Rrahmani.

Mirëpo gjasat që të miratohet një projektligj i tillë janë të pakta.

“Qeveria e re duhet të ndërmarrë masat që të realizojë këtë buxhet, e jo ta shkurtojë atë. Ne nuk përkrahim në Kuvendin e Kosovës kurrfarë shkurtimi të shpenzimeve”, ka paralajmëruar shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ditën kur Qeveria e ka miratuar Projektligjin për rishikimin e buxhetit.

Mirëpo  ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se buxheti për vitin 2017 nuk ka qenë i mirë planifikuar dhe se me rishikimin e tij do të ulët së paku 200 mijë euro.

Në secilin variant, Qeveria e ka pjesën e vet të përgjegjësisë për vonesat që u shkaktohen veteranëve në marrjen e pensioneve.

Në sistemet parlamentare, Qeveria dështon atëherë kur projektet e saj nuk kalojnë në Kuvend.

Veteranët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen brenda tri javësh. /AktivPress