14:05 / E Shtunë, 07 Tetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj priti shehlerët kosovarë

Kryeministri Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësuesit e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës.

Kryeministri i ka uruar ata për daljen nga Muaji Muharrem dhe i ka përgëzuar për festën e Hashurës.

Haradinaj u ka thënë atyre se vlerat të cilat i përfaqësojnë BTK, Teçet dhe shehlerët si dhe pasuesit e tyre, tashmë janë të njohura me ligj, me Ligjin mbi liritë fetare, ndërsa Qeveria që ai drejton është e interesuar për një marrëdhënie kredibile dhe pa diskriminim me të gjitha bashkësitë fetare të vendit, të cilat do të kenë status ligjor të definuar qartë.

Përfaqësuesit e BTK-së i kanë shtruar kërkesat e tyre kryesore që të përfaqësohen në këshillat qeveritare të bashkësive fetare si të barabartë me bashkësitë tjera fetare, kurse Teçetë, pronat dhe varret të administrohen nga BKT e jo nga BIK, ndërsa Sufizmi të përfshihet si lëndë në Fakultetin e Studimeve Islame, ngase shumë student nga BTK shkojnë në Medrese dhe studiojnë në këtë fakultet.

“Kemi ardhë të dëshmojmë rreshtimin tonë me shtetin e Kosovës, me institucionin e kryeministrit dhe personalisht me ju kyeministër Haradinaj, si ish komandant i UÇK-së, ish kryeministër dhe aktualisht kryeministër, sepse vlerësojmë se ky rreshtim është i drejtë”, ka thënë Shejh Lulëzim Shehu, sekretar i Përgjithshëm i BTK-së./AktivPress