14:57 / E Hënë, 28 Maj 2018

Haradinaj: Prizrenin do ta ndihmojmë me krejt çka kemi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot vizitoi Komunën e Prizrenit, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Mytaher Haskuka.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se është këtu, në njërën nga qendrat më të mëdha në Kosovë, për të mësuar nga afër gjendjen reale dhe parë se cilat janë detyrat e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e mëtejmë të këtij qyteti. Kryeministri tha se duhen hequr pengesat kësaj komune, që të mund të kalojë në një plan urbanistik dhe zhvillimor dhe njëkohësisht duhet dhënë përkrahja për t’i pasur në shfrytëzim hapësirat për një park industrial.

“Jemi optimist se do të jetë nxitje për një zhvillim ekonomik dhe jemi të gatshëm që të ecim në etapa të tjera me parkun industrial, zgjidhjen e çështjes së pronësisë dhe që t’i mundësohet Komunës që të ecë përpara”, tha kryeministri Hardinaj.

Kryeministri Haradinaj, theksoi se gjatë takimit me kryetarin Haskuka është diskutuar për shumë tema që duhet trajtuar me seriozitetin më të lartë si, arsimin, shëndetësinë, rendin, ku specifikoi çështjen e narkotikëve dhe shpërndarjen e tyre nëpër shkolla.

“E sigurova kryetarin Haskuka që Qeveria e vendit, pa asnjë hezitim do t’i kryejë ato që janë punë të Qeverisë”, tha kryeministri Haradinaj, duke potencuar se komuna nuk duhet të jetë e bllokuar për shkak se niveli nacional nuk po i kryen punët e veta.

Nga ana e tij, kryetari Haskuka, pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën dhe gatishmërinë për të ndihmuar Komunën e Prizrenit, përmendi disa sfida si, parkingjet për vetura, mungesën e ujit të pijshëm në disa zona dhe ndërtimin e institucioneve parashkollore, për të cilat mori premtimin e kryeministrit Haradinaj për mbështetje.

Vizita në Komunën e Prizrenit nga ana e kryeministrit Haradinaj po bëhet në kuadër të vendosjes së një bashkëpunimi dinamik mes qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, për t’i ndihmuar zhvillimit, agjendë kjo e kryeministrit Haradinaj.