Haradinaj: Puna e atdheut nuk është kryer ende
Në 20 vjetorin e themelimit të Batalionit Atlantiku, në Prishtinë u mbajt një akademi përkujtimore në të cilën kanë marrë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ende kanë nevojë për mbështetjen e tyre.
Kjo pasi, shteti serb ende është duke mohuar krimet që kanë bërë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, përfaqësues institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Kryeministri Haradinaj tha se për ato kohë të vështira të kombit tonë do të flitet gjithnjë brez pas brezi.
E kur flitet për luftën e Kosovës, atëherë, sipas tij, fatmirësisht në këtë histori të lavdishme edhe Batalioni “Atlantiku”, e ka pjesën e vet, e ka krenarinë e vet dhe është pjesë e historisë.
“Kur flitet per luftën e Kosovës edhe batalioni Atlantiku e ka historinë e tij dhe krenarinë e tij. Kur e flasim historinë e Kosovës, është e dhimbshme dhe martire. Ajo që është me rëndësi ta vërtetojmë është se ka zënë vend e drejta e shqiptarëve, edhe sakrifica juaj. Serbia sot po provon të mohojë krimin që ka bërë, po provon me ndryshuar të vërtetën, me u paraqit viktimë. Si atëherë edhe sot ju jeni të nevojshëm për atdheun. Çdo vlerë e popullit tonë na është marrë. Gjysma e popullit në Kosovë është përzënë e gjysma është detyruar me jetu në torturë, duhet t’ua tregojmë botës këtë. Kemi me qenë çdo herë bashkë mos me leju dikush me tjetërsu të drejtën tonë e sakrificën tonë. Kërkoj ndihmën tuaj të jemi bashkë, sepse puna e atdheut tonë nuk është kryer ende”, tha Haradinaj. /Indeksonline/