22:43 / E Martë, 21 Qershor 2022 / OSH

Haradinaj, qeverisë: Uleni çmimin e energjisë elektrike

Kosova dhe Serbia sot kanë arritur marrëveshje për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë të arritura në vitin 2013-të dhe 2015-të.

Me anë të këtyre marrëveshjeve do të mundësohet faturimi i energjisë elektrike edhe në veriun e Kosovës.

Për këtë ka folur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës Ramush Haradinaj.

Haradinaj në Rubikon në Klan Kosova i bëri thirrje qeverisë që të ul çmimin e energjisë elektrike.

Ai theksoi se nëse do të ndodh kjo, qytetarët do ta shihnin “fitoren energjetike”.

Ish-kryeministri i Kosovës tha se rritja çmimit të energjisë është edhe reflektim i mbulimit të humbjeve në veri.

“Tani duhet qeveria ta shfrytëzojë faktin se do t’i ketë të hyrat nga veriu ta ul çmimin e energjisë sepse ky çmim i rritur i energjisë ka qenë edhe si reflektim i mbulimit të humbjeve në veri. Unë nuk po i them Kurtit “nxjerr pare prej xhepit tënd”, por po i them nesë po i fut ato të hyrat e veriut në buxhet, ulja pak të gjithëve që ta shohin “fitoren energjetike”, pra ndërhyni në çmim. Jo të ndërhyni arbitrarisht por të ndërhyhet me koston reale” – tha Haradinaj.

“Nëse nga veriu hyjnë kaq milionë, atëherë ato të hyra mos i shfrytëzoni vetëm për t’i mbuluar profitin e kompanive operuese por shfrytëzoni ta zvogëloni sado pak çmimin. Nëse një familje ua ul çmimin vetëm 10 euro, kjo do të vërehet”.