Haradinaj: Refuzimi i gazsjellësit nga Kurti e nis një epokë anti-Kosovë dhe anti-Amerikë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka nisur një epokë anti Kosovë dhe anti Amerikë, kjo sipas tij pasi e ka refuzuar projektin amerikan të gazsjellësit.
Haradinaj në një konferencë për media tha se Kurti i ka plotësuar të gjitha kushtet për të dhënë dorëheqje.
“Albin Kurti me dy veprimet e fundit e ka rrezikuar shtetin e Kosovës dhe partneritn me SHBA-të. Ky njeri i ka plotësuar të gjitha kushtet të jap dorëheqje, mbetja e tij në këtë detyrë qoftë edhe për një ditë të vetme është e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën. Unë me kohë e kam vërejtur se është mashtrues e i rrezikshëm për vendin”, tha Haradinaj.
Ai madje pyeti edhe presidenten e vendit se pse po hesht për vendimin e refuzimit të projektit të gazit.
“Kam një pyetje për presidenten e vendit, pse po hesht për refuzimin shtetëror të projektit amerikan të gazsjellësit, kjo heshtje e bën këtë goditje më të dhimbshme dhe më të frikshme. Ajo pati thënë që Kosova nuk ka refuzim, s’ka rrugë tjetër pos bashkëpunim me SHBA-në”, tha Haradinaj.