Haradinaj refuzon takimin me Abdixhikun: S’jam i interesuar për atë që ka folur me Kurtin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur qartë qëndrimin e tij kundërshtues ndaj një takimi të mundshëm me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në lidhje me zhvillimet për çështjen e presidentit.
Ai u shpreh se nuk e sheh të arsyeshme të takohet me Abdixhikun për të diskutuar mbi atë që ky i fundit ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti.
“Së pari, nëse Lumiri dëshiron me e marrë rolin e zmadhuesit / altoparlantit/ të Albinit le ta marrë… Unë s’mundem me shku me taku Lumirin me fol për çka ka fol ai me Albinin. S’është ka më intereson. S’është pjesë imja. Le t’i grah ai tjetërkah. Ose Bedrinë, se Bedria e Lumiri kanë shkruar disa herë në takime…”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.
Ndërkohë, gjatë ditës Abdixhiku pas takimit me Kurtin, ka paralajmëruar vazhdimin e takimeve edhe me liderët e tjerë politikë, përfshirë AAK-në dhe PDK-në.

