Haradinaj: Rrjeti hekurudhor funksional përmbyllet në tërësi në vitin 2021
Kryeministri Ramush Haradinaj pas nënshkrimit të kontratës për linjën hekurudhore Fushë Kosovë-Hani i Elezit, ka thënë se Kosova paraqet nyjë të rëndësishme në rrjetin ndërlidhës hekurudhor në Ballkanin Perëndimor me vendet e BE-së.

Sipas tij, modernizimi i infrastrukturës hekurudhore, ka rëndësi strategjike për vendin si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm, transmeton Indeksonline.
“Kosova paraqet një nyjë të rëndësishme në rrjetin ndërlidhës hekurudhor në Ballkanin Perëndimor me vendet e Bashkimit Europian. Modernizimi i infrastrukturës hekurudhore, që lidhë ekonomitë e rajonit, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm, ka rëndësi strategjike për vendin”, ka shkruar Haradinaj.
Ai këtë ditë e ka quajtur ditë feste për Kosovë, duke thënë se ky rrjet hekurudhor do të përmbyllët në tërësi në pranverën e vitit 2021.
“Nënshkrimi i kontratës komerciale për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë – Hani i Elezit, është një ditë feste për Kosovën. Nga sot po shënojmë fillimin e aftësimit të rrjetit hekurudhor funksional kualitativ, i cili do të përmbyllet në tërësi në pranverën e vitit 2021”, ka thënë mes të tjerash kryeministri Haradinaj./Indeksonline/
