14:01 / E Hënë, 30 Janar 2023 / LB

Haradinaj: Serbia dhe fatkeqësisht edhe Kurti, po e përdorin Asociacionin për ta penguar marrëveshjen e madhe

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj ka thënë se asociacioni po paraqitet si çështje problematike dhe  si “mbulesë”, për marrëveshjen e madhe nga kryeministri i Kosovës.

Tutje Haradinaj ka ricekur edhe një herë që marrveshja përfundimtare me njohjen resiproke mes Kosovës dhe Serbisë mund të bëhet vetem me ndërmjetsimin e ShBa-së.

“Diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë.

Ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet.

Prandaj të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe.

Këtë po e bën Serbia e fatkeqësisht këtë po e bën edhe Kryeministri i Kosovës.

Të gjitha vendimet dhe veprimet e qeverive në Prishtinë e në Beograd, në këta 4-5 muajt e fundit, që nga çështja e targave, tensionet në veri, dalja nga institucionet e serbëve lokalë, e deri te shpallja e zgjedhjeve në veri, kanë qenë obstruksionizëm i Planit Evro-Amerikan.

Kjo lojë politike duhet të marrë fund dhe Kosova duhet t’i fokusojë krejt potencialet politike, intelektuale e qytetare në kryetemën e saj që është “marrëveshja e madhe për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, e cila mund të arrihet vetëm duke qenë të koordinuar ngushtë me SHBA dhe BE”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.