Haradinaj-Stublla bisedë telefonike me Palmer-in: Roli i ShBA-ve ka qenë jetik dhe vendimtar

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Matthew Palmer, Zëvëndës-Ndihmës Sekretar i ShBA-ve dhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, ku tregon se roli i ShBA-ve ka qenë jetik dhe vendimtar në jetësimin e të drejtës së Kosovës si shtet i lirë .
Haradinaj-Stublla thotë se ka rikonfirmuar se aleanca strategjike dhe historike e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është boshti i çdo të arriture tonë si shtet.
“Në të gjitha etapat e shtetndërtimit, roli i ShBA-ve ka qenë jetik dhe vendimtar në jetësimin e të drejtës së Kosovës si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik, i konsoliduar për së brendshmi dhe i njohur ndërkombëtarisht”, u shpreh ajo.
Ministrja e ka falënderuar Palmer-in edhe për zhbllokimin e fondeve të Korporatës ‘Sfidat e Mijëvjeçarit’ (MCC), si dhe për vëmendjen dhe energjinë e re amerikane në përpjekjet e arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë për njohje reciproke./Indeksonline/