Haradinaj-Stublla: Do të jemi urë besimi me shtetin për qytetarët e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, gjatë vizitës së sotme, në Prizren, mori përkrahje e mbështetje qytetare për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ajo tha se lidhja me Prizrenin është gjithmonë e veçantë, siç është e përzemërt pritja në qytetin historik.
“Prizreni, përveçse i bukur e tejet mikpritës, krahas kulturës dhe trashëgimisë, ka edhe madhështinë e harmonisë fetare. Në këtë frymë ishte edhe takimi i sotëm me Bashkësinë Islame në Prizren, ku bashkë me Presidentin në ardhje, Ramush Haradinaj, u dakorduam se do të angazhohemi për kërkesat e thjeshta të komuniteteve fetare, si vlerë e ndërtimit të Kosovës”, u shpreh ajo pas vizitës në BIK-un e Prizrenit.

Ministrja Haradinaj-Stublla bashkë me liderin e partisë Haradinaj, strukturat e degës së AAK-së në Prizren, Kryetarin Lulim Kabashi dhe kandidatët për deputetë vizituan edhe Sheh Abedinit, Teqën Melami në Shadërvan si qëndruan në shtëpinë e Sheh Hadrit.
“Kënaqësi të isha mike në konakun e Sheh Abedinit në Teqen e Saraçhanës Halveti në Prizren, tradita e së cilës është ndër vite kontribuese e kauzës atdhetare”.
“Në Teqen e Melamive në Prizren, mysafire e nderuar e Grupit të të Diturve, së bashku me Kryetarin Ramush Haradinaj e kandidatët e AAK-së për deputetë. Kjo teqe është pjesë e trashëgimisë së Prizrenit”.

“E përfundova këtë ditë të mrekullueshme me vizitën në odën e Sheh Hadrit, ku pata kënaqësinë të isha pjesë e diskutimit për rolin e besimit në kohët moderne”.
“Do të angazhohemi që të jemi urë besimi me shtetin, për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
