Haradinaj-Stublla: Ka sinjale pozitive për liberalizimin e vizave

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë të ditur se sot është takuar me Matthias Lüttenberg – Shef i Departamentit për Evropën Juglindore në Zyrën e Kancelares Gjermane dhe Christiane Hullmann – Shefe e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
Ajo tha se lidershipi i Gjermanisë jep linjale pozitive për liberalizimin e vizave, shkruan IndeksOnline.

Haradinaj-Stublla për dialogun me Serbinë tha se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës.
Postimi:
Sot në Ambasadën e Kosovës në Berlin, pata takim thelbësor me z. Matthias Lüttenberg – Shef i Departamentit për Evropën Juglindore në Zyrën e Kancelares Gjermane dhe znj. Christiane Hullmann – Shefe e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
Lidershipi i Gjermanisë si aleatja më e madhe e Kosovës në Evropë, veçanërisht tani kur kryeson Presidencën e Këshillit Evropian, është qenësor në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Fitova bindjen se ka sinjale pozitive në drejtim të një epilogu të suksesshëm të këtij procesi.
Diskutuam edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku theksova se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, është qëndrim unik i Republikës së Kosovës. Rrëshqitja në dialog me tema teknike, dhe pa kornizë kohore, është kundërproduktive, dhe besojmë fuqishëm që Gjermania do të luaj rolin e saj vendimtar njësoj sikur në kohën kur rrëzoi idetë e rrezikshme të lëvizjes së kufijve në Ballkan.
