18:02 / E Hënë, 18 Janar 2021 / Blerim

Haradinaj-Stublla: Koordinimi trans-atlantik do të sjellë rezultate të prekshme në dialog

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një postimi të bërë në FB ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një video-konferencë me z. Peter Beyer, raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës dhe Koordinator për Bashkëpunimin Trans-Atlantik në Ministrinë e Punëve të Jashtme Gjermane, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

“Gjatë këtij bashkëbisedimi e njoftova z.Beyer për situatën politike në vend përpara zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, ku shpreha angazhimin tim të plotë si Ministre e Diasporës, në mirë-informimin e bashkëqytetarëve tanë për procesin e votimit përmes postës.

Diskutuam edhe për procesin e Dialogut ku shpreha shqetësimin për qasjen tërësisht agresive të Serbisë, e cila po vazhdon me deklarata kërcënuese e retorikë shoviniste e raciste ndaj Kosovës, duke shkelur secilën marrëveshje të arritur deri më sot, më të fundit atë të Uashingtonit, e duke bërë veprime të papranueshme për ne, siç janë arrestimi pa arsye dhe mbajtja në burg pa të drejtë e shtetasve të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Tutje Haradinaj-Stublla thotë se është dakorduar me z.Beyer se koordinimi trans-atlantik mes SHBA-ve dhe BE-së për Dialogun do ta rigjallërojë këtë proces edhe do të sjellë rezultate të prekshme, përtej veç firmosjes së marrëveshjeve.

“E njoftova z.Beyer se edhe përkundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ne nuk kemi lënë anash në asnjë moment detyrat shtetërore dhe se jemi jashtëzakonisht vigjilent për të mos lejuar askënd që ta nëpërkëmbë shtetin tone”, përfundon postimin ministrja./Indeksonline