75 Mall Live Search
19:48 / E Enjte, 08 Tetor 2020 / indeksADMonline

Haradinaj-Stublla: Kosova është e rreshtuar përkrah aleatëve në krye me SHBA-në

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Koordinatorin Kundër Terrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit, Ambasadorin Nathan A. Sales.

Ministrja Haradinaj-Stublla ka diskutuar me Ambasadorin Sales për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, sidomos për Marrëveshjen e Uashingtonit, në veçanti pikat që bien në përgjegjësinë direkte të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“E njoftova Ambasadorin Sales se Republika e Kosovës është e përkushtuar në implementimin e të gjitha pikave të marrëveshjes dhe se çmon përkushtimin e lartë të Lidershipit Amerikan për vënien në jetë të zotimeve të dhëna në këtë marrëveshje”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla.

Në këtë kontekst, shefja e diplomacisë kosovare e ka theksuar Vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për ta shpallur si organizatë terroriste, organizatën Hezbollah.

Gjatë kësaj bisede është vlerësuar edhe kontributi që Republika e Kosovës ka dhënë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, në veçanti roli i shtetit tonë në Koalicionin Global Anti-DAESH.

Ministrja Haradinaj-Stublla ka theksuar se Kosova është e rreshtuar përkrah aleatëve në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë për të gjithë popujt paqedashës.