Haradinaj-Stublla: KQZ më ka konfirmuar se vendimi për diasporën është marrë unanimisht nga të gjitha partitë politike në KQZ

Pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se nuk do të lejohen të votojnë mërgimtarët me postë, në rast se nuk lajmërohen në telefon, ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla e cila e ka telefonuar kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën.
“Biseduam për vendimin e fundit të nxjerrë nga KQZ-ja për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim të Votuesve jashtë Kosovës, i cili sipas znj. Daka, është një veprim që është ndërmarrë për të evituar keqpërdorimet e mundshme të votimit nga jashtë”, ka thënë Haranidja-Stublla.
Ajo ka vënë në dukje se Kryetarja Daka e ka informuar se vendimi është marrë unanimisht nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike në KQZ, duke dëshmuar gatishmërinë e të gjithë spektrit politik për zgjedhje demokratike e me standarde të larta e gjithëpërfshirëse.
“Shfrytëzova rastin për të falënderuar Kryetaren Daka dhe KQZ-në për angazhimin e tyre intensiv për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit”, ka thënë tutje ajo në një postim në Facebook.
Ministrja e Jashtme ka theksuar se kryetarja e KQZ-së, gjithashtu e ka siguruar se e drejta kushtetuese nuk do t’i mohohet askujt nga diaspora jonë dhe se procedura shtesë e verifikimit do të bëhet me qëllim evitimin e praktikave të dëmshme të dëshmuara në proceset zgjedhore të kaluara, që kanë sjellë ankesa mbi votat e ardhura me vonesë, duke vonuar certifikimin e rezultatit përfundimtar.
“Diaspora është pasuri dhe vlerë e shtuar e Kosovës dhe gjithmonë do ta ketë përkrahjen dhe vëmendjen tonë të pandërprerë”, mbyllë postimin e saj Haradinaj Stublla.