75 Mall Live Search
20:25 / E Premte, 02 Prill 2021 / Blerim

Haradinaj-Stublla: Me diasporën nuk ka zgjedh e merr

Ish ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj- Stublla, ka reaguar për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet.

Ajo ka thënë se iniciativa për votimin për të lehtësuar votimin e diasporës është i vonuar.

Tutje Haradinaj Stublla ka pohuar se ky inicim nuk duhet t’i hidhëroj asnjë parti politike.

Reagimi i plotë:

ME DIASPORËN NUK KA ZGJEDH E MERR!

Të mirat që na vijnë pandërprerë nga diaspora, krijojnë edhe obligime për shtetin. Iniciativa për votim të lehtësuar përmes misioneve diplomatike e konsullore është lajm i mirë e i stërvonuar, dhe nuk duhet të hidhërojë e as alarmojë asnjë parti politike, pavarësisht formës së ndërmarrë, apo rezultatit zgjedhor të fundit.

Të gjithë pa përjashtim e kishin këtë mundësi, por nuk e shfrytëzuan. Madje as nuk po mundohen që të fitojnë votat e diasporës!Por, ka një gjë që duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Megjithëse votimi nga jashtë i mundësoi diasporës që t’i japë impuls të jashtëzakonshëm politikës kosovare, ajo i mundësoi edhe Serbisë që t’a kontaminojë procesin zgjedhor dhe të shtrijë ndikimin e saj në skenën politike!

Shpresoj iniciuesit e amandamentimit të sotëm dhe kundërshtuesit e ashpër të ndikimit të Serbisë në Kosovë të jenë përkujdesur maksimalisht që të evitojnë thellimin e tij përmes lehtësirave të ligjit të ri, e të mos kenë rënë pre e shantazhit nga Lista Serbe në këmbim të kuorumit për zgjedhjen e Presidentit.

Si merita për dobitë, ashtu edhe përgjegjësia për dështimet, janë të iniciuesve.

Zoti të ruajtë Kosovë!/Indeksonline/